Allegri: Balotelli? Nuk e ndërroj me Pato-n

05/02/2011 15:40

Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, theksoi se nuk ekziston asnjë debat për të ardhmen e Pato-s, në të njëjtën kohë që komentoi rreth shanseve të skuadrës për titullin kampion dhe ndeshjen e nesërme me Genoan.

Genoa – “Ndeshja në “Marassi” nuk do të jetë aspak e thjeshtë dhe për të fituar do të duhet të tregohemi të shpejtë dhe të saktë. Genoa ndërroi shumë lojtarë në merkato, por sistemi i lojës mbetet i njëjti. Ata janë një skuadër e organizuar dhe me shumë intensitet loje”.

Mesfusha – “Në muajin e fundit, nuk kemi zhvilluar kurrë dy ndeshje me të njëjtën mesfushë, por e kam vlerësuar shumë aftësinë e lojtarëve për të kuptuar shpejt kërkesat e mia. Përshembull, në Catania, lojtarët e rinj ditën të kuptonin shumë mirë ndeshjen”.

Pato – “Nuk ka asnjë debat për Pato-n. Ai është një futbollist i shkëlqyer, por është shumë i ri dhe mund të mësojë shumë. Me kalimin e kohës, loja e tij do të kombinohet gjithmonë e më shumë me atë të Ibrahimovic-it. Balotelli? Jam shumë i kënaqur që kam Pato-n dhe nuk e ndërroj me asnjë”.

Titulli – “Nuk kemi përse të mendojmë për Interin, pasi jemi në krye dhe kemi fatin tonë në dorë. Interi bën rrugën e tij, ashtu si edhe skuadrat e tjera. Nëse ne ruajmë ritmin e mirë që kemi patur deri tani, do t’ia bëjmë shumë të vështirë atyre dhe të gjithë ekipeve të tjera që të fitojnë titullin”.

Top Channel