Moratti: Derbi? Mendojmë gjëra të tjera

04/02/2011 13:20

Në një intervistë të dhënë sot në “La Gazzetta dello Sport”, një ditë pas fitores me Barin, presidenti i Interit, Massimo Moratti, u ndal në çëshjet kryesore të aktualitetit zikaltër.

Presidenti, ndër të tjera, dënoi gjestin antisportiv të goditjes me grusht të një kundërshtari prej Chivu-t, ndërsa e cilësoi si të parakohshëm debatin nëse derbi me Milanin do të jetë vendimtar për titullin kampion.

Chivu – “Na vjen shumë keq për atë gjest. Na vjen keq për Chivu-n, pasi është hera e parë që përfshihet në diçka të tillë. Christian është një njeri i mirë dhe menjëherë pas ndeshjes kërkoi ndjesë. Ai vetë pranoi se nuk mund të justifikohet”.

Bari – “Ishte një ndeshje tipike e Serisë A, ku asnjëherë nuk fitohet lehtë. Në “San Nicola” ishte një terren i vështirë, i cili nuk lehtësonte lojën e asnjërës skuadër. Megjithatë, në fund arritëm të fitonim dhe kjo ishte më e rëndësishmja”.

Leonardo – “Isha i sigurt që do të bënte një punë të mirë dhe nuk po më zhgënjen. Në kohën e Benitezit ndodhte që edhe me tre sulmues në fushë, ta kishim shumë të vështirë të rrezikonim e të shënonim. Megjithatë, loja entuziaste dhe e rrjedhshme nën drejtimin e tij, e ka bërë këtë skemë shumë më efikase”.

Derbi – “A do të jetë derbi me Milanin ai që do të vendosë kampionatin? Mendoj se është e parakohshme të flasësh për këtë. Të gjitha skuadrat kanë frikë nga të tjerat, por secili bën rrugën e tij në kampionat”.

Top Channel