Benitez: Torres u shit lirë

04/02/2011 09:10

Ish-trajneri i Liverpoolit, Rafael Benitez, e cilësoi Fernando Torres-in si të shitur nënkosto, pavarësisht se ai vendosi një rekord të ri për transferimet brenda Anglisë.

Duke folur për BBC, Benitez theksoi se spanjolli kishte një vlerë prej 70 milion paundësh. Ai kaloi disa ditë më parë tek Chelsea për 50 milion paund, duke u shndërruar në lojtarin e katërt më të shtrenjtë të historisë.

”Një vit më parë kemi qenë duke folur mbi bazën e 70 milion paundve”, deklaroi Benitez, i papunë pas largimit nga Interi.

”Mendoj se nëse Liverpool do të kishte pritur, atëherë mund të kishin marrë oferta më të mira nga ndonjë klub tjetër”. Manchester City ishte gjithashtu i interesuar për sulmuesin e kombëtares spanjolle.

Benitez, i cili pranoi se do t’i pëlqente të drejtonte përsëri në “Anfield”, shtoi: “Torres nuk po luante më në nivelin e tij më të mirë, por gjithsesi, ai mbetet një futbollist shumë i mirë”.
 

Top Channel