Raul: Reali, shumë pak shanse për titullin

03/02/2011 16:50

Ish-kapiteni i Real Madridit, Raul Gonzales, në një intervistë të dhënë për të përditshmen “AS”, foli për objektivat e tij personalë, futbollin gjerman, situatën aktuale tek Schalke dhe aktualitetin e Realit.

Reali – ”Kam luajtur 16 vjet tek Reali, praktikisht të gjithën karrierën time dhe është e qartë që vazhdoj të ndjek ndeshjet. Pa dyshim, lutem që të fitojnë kampionatin, edhe pse për të qenë realistë ka për të qenë e vështirë.

Mënyra se si luan Barcelona është e pabesueshme. Ata janë një makineri perfekte. Megjithatë, Reali ka një skuadër shumë të re në moshë dhe ky është favori i tyre më i madh. Lojtarë si Khedira e Ozil mund të vazhdojnë të rriten shumë”.

Bundesliga – “Është një kampionat ku luajnë yje të mëdha të futbollit botëror, si Van Nistelrooy, Ribery apo Robben. Bundesliga po bëhet gjithmonë e më interesante për lojtarët e mëdhenj, ndërsa nga pikëpamja e infrastrukturës, janë përpara të gjithëve. Mjafton të shikosh stadiumet”.

Schalke – “Duhet të jemi realistë dhe është e qartë që pozicionet e para janë shumë larg tashmë. Ndodhemi në mesin e renditjes, por unë besoj fuqimisht se mund të kualifikohemi në Europa League nëpërmjet vendit të pestë”.

Champions League – “Për mua do të jetë shumë e veçantë që të kthehem në Spanjë dhe të luaj përballë Valencias. Jam shumë optimist, pasi kam shumë kujtime të mira përballë kësaj skuadre, përfshi suksesin në finalen e vitit 2000.

Valencia është midis skuadrave më të mëdha të kontinentit dhe në dekadën e fundit janë kualifikuar pothuajse gjithmonë për në Champions, por këtu jemi shumë optimistë dhe kemi avantazhin e ndeshjes së dytë përpara tifozerisë tonë të zjarrtë”.

Futbolli gjerman – “Më kanë befasuar dy gjëra në veçanti. Stadiumet janë gjithmonë të mbushur në maksimum dhe tifozët dalin bashkë e festojnë pas ndeshjeve.

Gjëja e dytë, një ekuilibër shumë i madh midis skuadrave. Këtu çdo ekip është në gjendje që të fitojë në secilën fushë. Në Spanjë, skuadra si Mallorca, për të dhënë një shembull, nuk mund të ëndërrojnë kurrë të fitojnë në “Bernabeu” apo “Camp Nou”.

Top Channel