Spiunazhi, Rusia paralajmëron Irlandën

02/02/2011 15:10

Rusia reagoi nëpërmjet një deklarate zyrtare, duke paralajëmruar autoritetet irlandeze për pasoja, pas përzënies së një diplomati rus të akuzuar për spiunazh një ditë më parë.

Sipas Kremlinit, nuk ka asnjë provë që përfaqësuesi i tyre në ambasadën e Dublinit ka vjedhur identitetin e pesë irlandezëve, për të përdorur pasaportat e tyre në operacione spiunazhi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Irlanda ngriti një hetim gjashtë mujor, pasi në SHBA u arrestuan 11 spiunë rusë. Shumë prej tyre kishin lëvizur në shumë destinacione në botë, nëpërmjet pasaportave të rreme irlandeze.

Një ditë më parë, ambasadori rus në Dublin u thirr në Ministrinë e Jashtme të Irlandës, ku u qortua për sjelljen e misionit diplomatik rus në ishull dhe iu komunikua shpallja “non grata” e një diplomati të konsideruar përgjegjës.

Volumi tregtar midis dy vendeve kap vlerën e dy miliard eurove, çka përbën një shumë të konsiderueshme për ekonominë irlandeze në krizë.

Moska ka reaguar më parë ndaj përjashtimit të diplomatëve të saj, me shtrëngim të regjimit të vizave dhe përjashtim të diplomatevë të shtetit përkatës në Rusi.

Top Channel