Qeveria, dritë jeshile stadiumit të ri

02/02/2011 21:25

Qeveria shqiptare i ka dhënë dritën jeshile Federatës Shqiptare të Futbollit për të ndërtuar stadiumin e ri dhe fillimin e prishjes së stadiumit aktual “Qemal Stafa”.

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kryeministri Berisha e ka cilësuar si një përparësi të qeverisë këtë projekt, duke synuar finalizimin e ndërtimit të stadiumit të ri brenda vitit 2012, që përkon me 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

Menjëherë pas këtij vendimi, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka ka sqaruar më shumë detaje rreth procesit të prishjes së stadiumit aktual dhe afateve për stadiumin e ri.

“Vendimi i sotëm konsiston në ndërtimin e një shoqërie aksionere me 75% të aksioneve FSHF-së dhe 25% qeverisë, që do ndërtojnë stadiumin. Ai do të ketë një vlerë rreth 60 milionë euro. Projektimi dhe koha e tenderimit do të kërkojnë një periudhë prej 8 muaj”, ka deklaruar Duka.

Projekti i stadiumit të ri është ndërtuar në bazë të tre koncepteve. I pari lidhet me formën e hartës së Shqipërisë, duke qenë se pozita jonë gjeografike ka një orjentim veri-jug, të ngjashëm me orientimin e një fushe stadiumi.

Koncepti i dytë lidhet me sfondin e thyer malor të Tiranës, një reliev i ashpër dhe i fortë, gjithcka që përfshihet në këtë projekt të stadiumit.

Dhe koncepti i tretë ka të bëjë me ngjyrat e flamurit tonë, e kuqja dhe e zeza, që do të jenë dhe ngjyrat e fasadës së këtij stadiumi të ri.

Ky stadium do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 41.500 metrash katrorë e do të ketë mbi 30 mijë vende për tifozët, të cilat 75% e tyre do të jetë e mbuluar.

Ndërkohë, janë projektuar edhe 330 vende parkimi. Ai do të jetë i ndarë në dy pjesë. Pjesa e poshtme e stadiumit mban mbi 17 mijë vende ku përfshihen 525 vende VIP, ndërkohë që pjesa e sipërme do të ketë rreth 16 mijë vende, ku përfshihen sërish edhe 320 vende VIP.

Gjithcka perfekte për një stadium të standartit ELIT të UEFA-s, një ndër nivelet më të larta që është projektuar studio RFA, e njëjta që ka bërë projektin e stadiumit të Valencias, Espanjolit, Atletikos së Madridit.

Ndeshja e fundit që do të luhet në stadiumin “Qemal Stafa”, i cili më pas do të shëmbet, do të jetë ajo me Francën në shtator të këtij viti.

Top Channel