Kriza e pafund e Juventusit

02/02/2011 23:00

Blerja e Matrit nga Kaljari nuk ka qenë e mjaftueshme për të nxjerrë Juventusin nga kriza e pafund që e ka përfshirë. Bardhezinjtë kanë pësuar humbjen e radhës në Serinë A, këtë herë në Palermo.

Vendasit kaluan mjaft shpejt në avantazh. Që në minutën e 7 të takimit, Mikoli gjen rrjetën pas një asisti të marrë nga Pastore. Pak minuta më vonë Migliaco dyfishon për vendasit. Juventus reagon vetëm në minutën e 36 të takimit me anë të Markisios që ngushton disavantazhin në 2-1. Me këtë rezultat mbyllet pjesa e parë e këtij takimi.

Pjesa e dytë nis me Juventusin të hedhur në sulm për të gjetur golin e barazimit. Bardhezinjtë krijuan disa raste të mira para portës vendase, por që nuk u shfrytëzuan mirë nga sulmuesit e tyre, as nga blerja e re, Matri. Ndeshja u mbyll me rezultatin 2-1.

Ndërkohë Roma ngeci në barazim 1-1 në fushën e saj në ndeshjen përballë Breshias. Fati i takimit u vendos nga goli i Borrielos në minutën e 59 për verdhekuqtë dhe i Eder për miqtë në minutën e 69.

Kievo trondit Napolin e vendit të dytë duke fituar me rezultatin 2-0, Cezena merr një tjetër barazim 1-1, këtë herë me Katanian në fushën e saj. Fiorentina mposhti Xhenoan 1-0, Lece fitoi 1-0 në transfertë ndaj Parmës, po me të njëjtin rezultat e po në transfertë Kaljari mposhti Sampdorian, ndërkohë që Udineze barazon 1-1 me Bolonjan.

Ndeshja mes Barit dhe Interi që luhet të enjten në mbrëmje mbyll këtë javë të Serisë A.

Top Channel