
Nëse në doganë litri i naftës kushton 85 lekë, me taksat që paguhen më pas vlera arrin në 155 lekë, pra gati 100 për qind rritje.
Duke marrë në konsideratë nivelet e taksave dhe tarifave që paguajnë karburantet, mund të thuhet se gati gjysma e çmimit që paguhet shkon për arkën e shtetit, një pjesë e konsiderueshme diktohet nga bursa, kurse tregtarëve u mbetet për të fituar jo më shumë se 6 lekë për litër.
Në javën e tretë të krizës me çmimet e larta të karburanteve, importuesit shprehen në mënyrë kategorike se nuk ka asnjë lloj mundësie abuzimi në treg, pasi këtë mall e ofrojnë mbi 50 shoqëri të pakicës, kurse importues janë mbi 15 të tillë, që përdorin rrugët detare dhe tokësore për kalimin e karburantit.
Gazeta “Shqip” analizoi pak kohë më parë shkaqet që kanë sjellë rritjen e çmimit të naftës dhe benzinës në treg, duke renditur 5 faktorë që lidhen me bursën, kursin e këmbimit, prodhimin vendas, politikën fiskale dhe referencat doganore.
Prej dy javësh, çmimi i benzinës në tregun tonë kushton me 168-170 lekë për litër, nga 163 lekë që ishte, kurse në shtator regjistronte nivelin e 158 lekë.
Po ashtu dhe nafta ka pësuar rritje të ndjeshme, diçka më pak se benzina, duke u luhatur me 3-4 lekë për litër. Sot nafta kushton 160 lekë për litër dhe pritet të rritet, pasi informacionet e fundit nga bursat tregojnë për pritshmëri drejt rritjes.
Për Shoqatën e Hidrokarbureve, shkaqet kryesore të çmimeve të larta janë dy: bursat dhe taksat që paguhen, të cilat në dy vitet e fundit kanë pësuar rritje.
“Për të qenë të hapur dhe transparentë me konsumatorin, mund të them se çdo operator vendas që ka një NIPT për ushtrimin e veprimtarisë ekonomike në këtë fushë, çdo ditë mund t’i drejtohet bazave të furnizimit në Porto- Romano, ku gjen furnizim me çmimin e bursës së Londrës, lehtësisht e verifikuar edhe nga publikimi ditor i agjencisë së lajmeve REUTERS”, – u shpreh dje presidenti i shoqatës, Luigj Alijaj.
Sipas tij, mënyra sesi është ndërtuar tregu i karburanteve dhe si funksionon ai, e bën tepër të vështirë matjen e abuzimit dhe kontrollin e tij.
Alijaj thekson se me një treg ku operojnë me dhjetëra biznese në fushën e karburanteve, nuk mund të thuhet se ka abuzime apo marrëveshje mes tyre për fiksimin e çmimeve.
“Theksojmë se sektori i tregtimit të karburanteve është tërësisht i fiskalizuar nga pikat e kalimit të kufirit e deri tek konsumatori i fundit. Kjo do të thotë se teorikisht dhe praktikisht është plotësisht e matshme nga autoritetet nëse realizohen fitime abuzive”, – deklaron presidenti i shoqatës.
Ai shton se për çdo informacion shtesë shoqata është e hapur të paraqesë të dhëna, ndërsa nuk ka nguruar të bashkëpunojë me autoritetet kompetente dhe mbikëqyrëse të tregut.
Top Channel