Ranieri: Merkato e Romës, e dështuar

01/02/2011 18:35

Trajneri i Romës, Claudio Ranieri, kundërshtoi publikisht drejtuesit e klubit për vendimin e tyre për të mos u përforcuar gjatë merkatos.

Në një intervistë të botuar sot nga “La Gazzetta dello Sport”. Ranieri deklaroi: “Prade (drejtori sportiv) tha se Interi e Milani u përforcuan sepse kishin nevojë, ndërse ne jo? Nuk jam dakord me të. Ata ishin edhe më parë më të fortë se ne.

E vërteta është që ata kanë më shumë para për të investuar, ndërsa ne nuk kemi asnjë qindarkë në arkat tona në këtë moment. Shpresoj që kjo merkato të mos na penalizojë. Pizarro do të rikthehet shumë shpejt, ndërsa shpresoj që edhe Adriano të jetë në gjendje të kontribuojë me disa gola deri në fund”.

Në intervistë, Ranieri ritheksoi objektivin titull të skuadrës së tij. “Për mua, të fitoj diçka këtu është një mision. Pa dyshim, në këtë kampionat jemi të shumtë në luftë për titullin.

Do të jetë më e vështirë se një vit më parë, kur shpenzimi i madh psikofizik i Inter-it na bëri që të ëndërronim”.

Ranieri komentoi edhe negociatat për shitjen e Romës dhe zërat se pronarët e rinj do të sjellin një trajner të ri në krye të klubit. “Në moshën 60-vjeçare, mendoj se nuk kam më asgjë për të demonstruar. Nëse nuk do të përfshihesha në planet e së ardhmes, nuk do të dëshpërohesha, pasi unë e kam bërë timen”.

Top Channel