IFJ dënon dhunën ndaj gazetarëve

01/02/2011 19:45

Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve denoncon dhunën dhe plagosjen ndaj gazetarëve në 21 janar.

“Kemi dëgjuar mbi sulmin ndaj gazetarëve në Shqipëri, gjë që na shokoi natyrisht, sepse ne mbrojmë të drejtën e shtypit, e kjo na bën përgjegjës për të gjithë, që gazetarët kudo në botë të punojnë në pavarësi dhe siguri të plotë. Ajo çfarë ndodhi në Shqipëri është se e drejta e gazetarëve, për të punuar në siguri të plotë, është cënuar. Ne dënojmë këtë sulm dhe denoncojmë sjelljen e autoriteteve shqiptare dhe kërkojmë me insistim që personat të cilët dhunuan kolegët tanë, të ndiqen nga drejtësia e të dënohen. Kërkojmë nga Autoritetet vendase që të bëjnë gjithçka në mënyrë që shërbimet e sigurisë, përfshi këtu dhe mbrojtësit e personaliteteve të larta, të respektojnë lirinë e shtypit dhe të drejtën e gazetarit për të punuar në pavarësi e siguri të plotë”, është shprehur Ernest Sagaga, zyra për komunikimin dhe të drejtat në IFJ.

Për tabulatet telefonike të gazetarëve, Federata Ndërkombëtare, vlerëson se kërkesa është e paligjshme, duke kërkuar nga Shqipëria, që si anëtare e Këshillit të Europës, të respektojë parimin e konfidencialitetit të burimeve të gazetarëve.

“Kjo nuk është normale, madje është e papranueshme. Këtë nuk e themi vetëm ne, Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve, por e thotë qartë e prerë Gjykata e të Drejtave të Njeriut. Mbrojtja e burimeve të gazetarëve është parim bazë në gazetari, një parim që është njohur si i tillë, si i padhunueshëm, nga kjo gjykatë. Nuk mund t’i kërkojmë gazetarit të japë të dhënat për telefonatat e tij, pasi kjo do të ishte pothuajse si të japësh identitetin e burimit. Kjo nuk mund të lejohet, si në kuadër të së drejtës europiane, ashtu dhe në kuadër të parimeve e të drejtave bazë të gazetarëve”, deklaroi Sagaga.

“Ndaj jemi të habitur që një vend si Shqipëria, që mundohet të përparojë në demokraci, që mundohet të vërë në jetë të drejtat dhe vlerat demokratike europiane, autoritetet vendase kërkojnë në ditët e sotme, si të ishte e mundur, të kenë akses në burimet e gazetarëve. Kjo nuk është e mundur”, tha Sagaga.

“Kjo gjë duhet denoncuar në nivel nacional. Duhet ndjekur proçedura normale e ushtrimit të drejtësisë në vendin tuaj, pra t’i drejtoheni gjykatave nga ajo e rrethit ku jetoni deri në nivelin e fundit, e nëse nuk mbeteni të kënaqur, duhet shkuar në Strasburg. Por ky denoncim duhet bërë që në fillim. Parimi është i njohur, jam i sigurtë, edhe nga Autoritetet Shqiptare. Ndaj ne shpresojmë se, duke ju kujtuar një herë detyrën e tyre ndaj gazetarëve, se ata nuk duhet të vijojnë me ndjekjen e tyre për detaje e listë kontaktesh telefonike për gazetarët”, theksoi Sagaga.

Parimi i konfidencialitetit mbi burimet e gazetarëve njeh të drejtën se gazetari garanton personin që jep informacion, se siguria e tij fizike nuk do të kompromentohet, përfshirë këtu dhe emrin e tij.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA