Gazetarët: Komisioni të tërhiqet

01/02/2011 16:10

Gazetarë dhe opinionistë e kanë cilësuar si një hap të gabuar dhe të paligjshëm vendimin e komisionit hetimor parlamentar për 21 janarin ku kërkohet zbardhja e tabulateve telefonike të katër prej gazetarëve të njohur në vend.

Andi Bushati, një prej gazetarëve të përfshirë në listën e komisionit hetimor bashkë me Filip Çakulin, Sokol Ballën dhe Mero Bazen, thekson se ky është një vendim që cënon rëndë statusin e gazetarit.

“Është thjesht një lojë për të qeshur, por edhe e shëmtuar dhe për t’ju shmangur një pyetjeje thelbësore. Për ta kaluar çështjen tek tabulatet e kujt duhen parë, numrat e kujt duhen folur, nga bisedat serioze deri tek bisedat intime, por për të fshehur një gjë shumë serioze, një pyetje që sot e bëjnë të gjithë shqiptarët: Kush vrau dhe kush urdhëroi për të vrarë? Çdo shashkë tymuese që hidhet përtej kësaj pyetjeje, qofshin me tabulatet tona, qofshin me pjesëmarrjen tonë në grushtin e shtetit, qoftë edhe një komplot si ai që kemi 30 vjet pa dëgjuar, me president, me prokurorë dhe me shërbim sekret, që qenkan vënë papritmas kundër një njeriut të vetëm, mua më vjen vetëm për të qeshur”, është shprehur Bushati.

“Edhe nëse do kisha komunikuar. Edhe nëse do shkoja të intervistoja Bin Ladenin, prapë nuk do ndihesha fajtor, se do isha në detyrën time”, shtoi ai.

Pedagogia e gazetarisë, Iris Luarasi ndalet tek e drejta e gazetarëve për të informuar publikun, por edhe për të ruajtur burimet e tij. Pyetja që shtron zonja Luarasi është sesa do të ndikojnë këto tabulate në zbardhjen e ngjarjes së 21 janarit?

“Nuk është media që po luan një faktor të madh në këtë histori. Unë mendoj se politika po luan shumë keq në këtë histori, sepse debatet janë zhvendosur nga parlamenti, nëpër studiot televizive, por ky nuk është problemi i gazetarëve, për ata është një fat shumë i madh që këto gjëra të ndodhin në studiot e tyre televizive. Ky është një problem i politikës shqiptare që e ka zhvendosur debatin në këtë nivel. Por nga ana tjetër kjo nuk i jep asnjë lloj të drejte politikës që bashkë me politikanët, të hetojë edhe gazetarët. Ne kemi një ligj që thotë që media është e lirë, kemi një ligj që flet për ruajtjen dhe privaticitetin e të dhënave private dhe padyshim që kjo do të jetë një nga kazuset më të forta dhe do të ndikojë në mënyrë të jashtëzakonshme edhe në indeksin e Shqipërisë përsa i përket të drejtave të gazetarëve”, tha Luarasi.

Gazetari Blendi Fevziu e ka cilësuar këtë vendim të shpejtuar pasi cënon rëndë të drejtat dhe lirit e gazetarit për informim.

“Një gazetar është në të drejtën e tij të marrë pjesë në çdo ngjarje, të jetë në zonat më të nxehta në momentet më delikate. Një gazetar mund të komunikojë dhe mund të ketë raporte komunikimi me çdo person në botë, qoftë ai edhe keqbërës, qoftë dhe një vrasës, qoftë dhe një terrorist. Këto tabulate nuk do të thoshin asgjë sepse edhe sikur t’i merrje këto tabulate do vërtetoje që këta gazetarë kanë folur me persona të ndryshëm. Kjo është krejtësisht normale dhe në këtë aspekt e quaj se ka një tejkalim të të drejtës së gazetarit dhe një mosdije të këtij komisioni për profesionin e gazetarit që është specifik. Kjo ndërhyn në të drejtën e gazetarit për të ushtruar profesionin. Është një ndërhyrje dhe shpresoj dhe uroj që komisioni ta tërheqë këtë kërkesë të tij nisur nga kjo mosdije”, theksoi Fevziu.

Por a është e drejtë e pushtetit për të hetuar institucionet që nuk varen prej saj, siç është gazetaria. Lufti Dervishi shprehet se pushteti i katërt nuk duhet të preket nga insitucionet zyrtare, pasi ai është i pavarur.

“Fjala e parë është që është një veprim i gabuar. Nuk mundet që të kërkohen gazetarët për disa arsye. Së pari është konflikt interesi. Vetë komisioni hetimor do të jetë objekt i vëzhgimit dhe i shqyrtimit të imtësishëm, kritikë, të vetë gazetarëve. Kështu që ky komision të marrë gazetarët. Së dyti ka të bëjë me parimet e shenjta të gazetarisë që kanë të bëjnë me burimet e informacionit. Gazetari nuk ka sepse të japë burimin e informacionit, sepse ato janë baza dhe themeli i besueshmërisë që ka gazetari në punën e tij”, tha Dervishi.

Pas këtij vendimi, katër shoqatat e gazetarëve janë shprehur të shqetësuar nga kërcënimi publik që kryeministri Sali Berisha dhe disa zyrtarë të tij kanë bërë ndaj gazetarëve të njohur të medias shqiptare.

Përmes reagimeve publike, Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë, Shoqata e Gazetarëve Profesionistë, Forumi Shqiptar për Mediat e Lira dhe Unioni i Gazetarëve kanë dënuar këtë vendim dhe kanë kërkuar nga komisioni të tërheqë kërkesën e tij si një kërcënim për gazetarët.

Top Channel