Çmenduria e merkatos angleze shqetëson UEFA-n

01/02/2011 17:25

Merkatoja angleze e futbollit u çmend në orët e fundit përpara mbylljes së saj, ndërsa 150 milion euro qarkulluan brenda 2-3 orësh, duke ngjallur një shqetësim të thellë tek UEFA.

Një ditë më parë, Chelsea konfirmoi blerjen e Fernando Torres-it për 50 milion stërlina, pak orë pasi kishte siguruar mbrojtësin e Benfica-s, David Luiz, për 21 milion.

Nga ana e tij, Liverpooli goditi me dy blerje, Andy Carroll (nga Newcastle) për 35 milion stërlina dhe Luiz Suarez prej Ajax-it, për 26 milionë.

Këto goditjet kanë hedhur hije dyshimesh të forta nëse klubet e Premier League do të jenë në gjendje të përmbushin kriterin e “fair-play” financiar të vendosur nga UEFA.

Sipas këtij kriteri, klubet që do të kenë një bilanc negativ të ardhurash, nuk do të jenë në gjendje të regjistrohen për në Champions apo Europa League.

Në sezonin e shkuar, Chelsea regjistroi një humbje prej 70 milion stërlinash në bilanc, defiçit i kompensuar nga të ardhurat personale të presidentit multimiliarder, Roman Abramovich.

Edhe shtypi britanik i konsideroi si të çmendura shumat, të cilat destabilizojnë tregun dhe rrisin artificialisht vlerën e futbollistëve.

Në total, gjatë muajit të janarit, klubet e Premier League kanë shpenzuar 225 milion stërlina për t’u përforcuar, pavarësisht se bilancet e disa skuadrave vazhdojnë të përkeqësohen në mënyrë të rrezikshme.

Top Channel