Kryetari i PDK-së, Hashim Thaci ka deklaruar sot se qeveria e re që do të formojë do të ketë orientime tërësisht evropiane.
Thaci nuk ka preferuar të tregojë se cilave parti u ka bërë oferta për formimin e koalicionit, por ka nënvizuar faktin se PDK doli partia me më shumë mandate.
“Partia fituese me një rezultat bindës është PDK-ja. E ritheksoj edhe njëherë se menjëherë me certifikimin e rezultatit zgjedhor do të kemi edhe qeverinë e re shumetnike, shumëpërfshirëse dhe sipas standarteve euroatlantike”, ka deklaruar Thaci.
Ditën e djeshme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 12 dhjetorit.
PDK renditej e para me 34 mandate në Kuvend, ose 32.11% të votave. Pas saj LDK me 24.69% ose 27 deputetë, Vetëvendosje me 14 deputetë, pasi fitoi 12.69% të votave, AAK 12 deputetë dhe AKR me 8.
Top Channel