Allegri: Mbeten edhe 11 fitore deri në fund

31/01/2011 18:35

Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, preku çështjen e dëmtimeve, blerjen e Legrottalie-s, ndeshjen e nesërme me Lazion dhe komentoi objektivat sezonalë, në një konferencë të për shtyp, të dhënë gjatë ditës së sotme.

Legrottaglie – “Një futbollist me përvojë si ai do të na ndihmojë. Është goditja e fundit në një merkato të shkëlqyer. Jam i sigurt se do të ketë hapësirën e tij edhe kur të gjithë futbollistët të jenë të disponueshëm”.

Dëmtimet – “Është e qartë që kjo periudhë ka qenë veçanërisht e keqe përsa i përket dëmtimeve, por nga ana tjetër jam i kënaqur për shpirtin e veçantë të sakrificës që kanë treguar lojtarë të stolit, si Jankulovski, Yepes apo Oddo”.

Lazio – “Përballë tyre është e domosdoshme që të luajmë me zgjuarsi dhe sakrificë. Ndeshja e Catanias, kjo me Lazion dhe ajo me Genoan që do të vijë, janë shumë të rëndësishme për sezonin tonë.

Lazio po bën një kampionat të shkëlqyer dhe ka disa futbollistë të mrekullueshëm. Është e rëndësishme që të imponojmë ritmin tonë, pasi ata kanë zakonin që ta vendosin pak në gjumë lojën”.

Titulli – “Objektivi ynë është që të përsërisim fazën e parë, ku fituam 40 pikë. Kam deklaruar disa herë që objektivi ynë është kuota e 80 pikëve. Deri në fund të sezonit, duhet të fitojmë edhe 11 ndeshje të tjera për të përmbushur objektivin”.

Top Channel