Flamurtari i vetëm në krye

30/01/2011 20:00

Flamurtari ka shkatërruar 4-2 Shkumbinin, duke vazhduar i vetëm në krye të klasifikimit të Superligës dhe titullit kampion të Shqipërisë.

Dy gola të Odise Roshi në minutën e 3 dhe të 28 mbyllën pjesën e parë me avantazhin e pastër të vlonjatëve, duke u bërë gjithashtu dhe një tregues i qartë i një fitoreje të ekipit të Maganit përpara tifozëve të vet.

Ashtu si në pjesën e parë, edhe në të dytën, Flamurtari gjen shumë shpejt rrugën e rrjetës, këtë herë me Plakun, 7 minuta pas fillimit të lojës dhe më pas më Xhafajn, në të 61 minutë.

Golat e peqinasve u shënuan nga Shenaj dhe Gërbovic po në këtë pjesë.

Vioresin Sinani me 3 golat e tij i ka dhënë fitoren 3-0 Vllaznisë në Durrës përballë Teutës. Prej 12 ndeshjesh, Vllaznia e drejtuar nga Mirel Josa nuk pëson asnjë humbje qoftë në kampionat ashtu edhe në kupë, ecuri e mirë kjo që i ka cuar shkodranët në vendin e tretë në Superligë dhe në cerekfinalet e Kupës së Shqipërisë.

13 minuta i kanë mjaftuar Besës të fitojë ndeshjen me Elbasanin dhe t’i fundosë akoma më shumë në klasifikimin e Superligës. Mihani zhbllokoi rezultatin në minutën e 11, dhe 2 minuta më vonë Arlind Nora, shënoi golin e dytë për Besën dhe të parin për të me fanelën e kavajasve.

Kjo fitore e ngjit Besën në kuotën e 18 pikëve, ndërsa Elbasani mbetet në fund me vetëm 9 pikë.

Top Channel