Alonso: Me F150 fitoj përsëri titullin

29/01/2011 12:15

Kampioni i dyfishtë i botës, Fernando Alonso, shprehu besimin se makina e re e Ferrarit, F150, do ta ndihmojë që të fitojë një titull të ri.

”Ndryshimi nga një vit më parë është që tani kam të gjithë numrat e celularit të mekanikëve dhe i telefonoj nga dy herë në ditë për t’i vendosur në presion”, deklaroi Alonso, në konferencën për shtyp, zhvilluar pasditen e djeshme.

”Në vitin tim të dytë këtu jam në gjendje t’i thërras të gjithë me emër. Kam besim se do të jemi në gjendje të fitojmë titullin, pasi të gjithë jemi të vendosur dhe të përkushtuar në punën tonë të përbashkët”.

Duke u rikthyer tek sezoni i fundit, ku Alonso humbi titullin në garën e fundit në Abu Dabi, spanjolli komentoi: “Nuk dua ta kujtoj, sepse jam në gjendje të nervozohem menjëherë. Duhet ta harrojmë duke fituar në 2011-n”.

Në fund, nuk mund të mungonte vlerësimi për makinën e re. “Pres që të kem një mjet më të besueshëm dhe më të shpejtë, por është e qartë që nga prezantimi dhe deri në mars, kur të zhvillojmë garën e parë, shumë gjëra do të jenë modifikuar”.

Top Channel