Fenomeni Bekim Bala

28/01/2011 19:25

Në çdo periudhë merkatoje futbollistësh, transferimet nuk habisin më askënd, por vëmendje tërhoqi këto ditë blerja e KF Tiranës.

Një djalë 20-vjeçar nga Shkodra u ble për diçka të ngjashme me 100 milionë lekë.

Bekim Bala nuk ka më shumë se tre ditë në Tiranë dhe sot do të shohim nga brenda jetën që bën një talent i ri i futbollit tonë dhe ai na hap me kënaqësi derën e hotelit-shtëpi ku po qëndron këto ditë.

“Kam tre ditë në Tiranë. Si fillim jam në hotel sa të ambjentohem”, shprehet Bala.

Një shifër e tillë është diçka e paimagjinueshme për një djalë datëlindja 1991, sidomos po të mendojmë për bashkëmoshatarët e tij, Bekimi duket se përtej kartonit goxha të vlefshëm është një i ri si gjithë të tjerët.

“Kam që 10 vjeç që luaj futboll. E kam filluar si portier sepse babai nuk më linte të merresha me sport se kisha probleme shëndetësore”, tregon talenti shqiptar.

Ai tashmë është profesionist, një nga shpresat e mëdha për Tiranën e të sotmes dhe të ardhmes, të paktën sipas fjalëve të më të interesuarit siç është Nevil Dede.

“Bala është lojtar me të ardhme, nuk ka nevojë për koment. Klubi jonë thith lojtarë të rinj dhe me perspektivë. Ai ka nevojë për përkrahje sepse kualiteti nuk i mungon”, thotë Nevil Dede, trajneri i Tiranës.

Vendosëm të intervistonim Bekim Balën pasi në Shqipëri, një djalë aq i ri që vlen 80 mijë euro nuk ndodh çdo ditë.

“Tregu shqiptar nu ka ende një vlerë reale për kartonin e futbollistëve, por nga viti në vit ka përmirësim në këtë drejtim”, vazhdon Dede.

Me siguri që vlerën e tij jo vetëm në merkato por edhe në media e rrit fakti i të qenit sulmues dhe pa delirin e rastit Bekimi qëndron me këmbë në tokë.

“Sulmuesi është një rol që të jep më shumë emër. Sulmuesi me dy-tre gola bëhet i famshëm, ndryshe nga një mbrojtës”, sqaron Bala.

Sa më i mirë futbollisti aq më i madh interesimi i mediave për të. Bekimi ka humbur mbrëmjen e maturës, ekskursionet me shokët por ka fituar të tjera avantazhe.

Sidoqoftë, një golashënues ka mall për shtëpinë e tij. Tirana e bleu atë nga Turqia dhe jo nga Vllaznia, që do të thotë se prej 7-8 muajsh ai jeton larg familjarëve të tij.

“Më mungojnë shumë familja dhe shoqëria, por flas dy herë në ditë me to. Pas stërvitjes dhe në darkë për të folur se si ka kaluar dita”, thekson Bala.

Bekimi fle në hotel në pritje të gjetjes së një shtëpie. Por në mendjen e djalit të ri është vetëm diçka, dita e parë që do të luajë për Tiranën.

“Kur të bëjë shumë gola në stërvitje do të luajë në formacion”, mbyll me shaka trajneri Dede.

Top Channel