Holanda heq pezullimin për De Jong-un

27/01/2011 16:30

Mesfushori i Manchester City-t, Nigel de Jong, do të rikthehet të luajë në kombëtaren holandeze, pasi kjo e fundit lajmëroi sot për heqjen e pezullimit, tre muaj pas ndërhyrjes që i shkaktoi thyerjen e këmbës francezit Ben Arfa.

De Jong, autor i një ndërhyrje të denjë për karate në finalen e Botërorit ndaj Xabi Alonso-s, i shkaktoi një frakturë të dyfishtë në këmbë rivalit Ben Arfa, në një përballje të kampionatit anglez midis Manchester City e Newcastle, tre muaj më parë.

Trajneri i kombëtares holandeze, Bert wan Marwijk, i revoltuar deklaroi atëherë për pezullimin pa afat të De Jong-ut, por pas tre muajsh vendosi ta rikthejë për përballjet eliminatore të Euro 2012 me Suedinë dhe Moldavinë, në program për t’u zhvilluar në shkurt.

De Jong shprehu kënaqësinë e tij për këtë lajm, ndërsa theksoi se kombëtarja ka një rëndësi tepër të madhe për të.

Top Channel