“Udhëtim Dimri” rikthehet në Teatrin Kombëtar

27/01/2011 18:50

Për herë të parë pas 20 vitesh, publiku shqiptar do të ketë mundësinë të ndjekë shfaqjen “Udhëtim Dimri”, me një trio të shkëlqyer interpretuesish, me mexosopranon Vikena Kamenica, aktoren Ema Ndoja dhe pianisten Merita Tërshana Rexha.

Shfaqja me muzikë të Franc Schubert-it dhe vargje nga Wilhem Muller-i, do të mbahet në datën 30 janar në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, në Tiranë.

”Udhëtim Dimri” është edhe titulli i ciklit të 24 poezive të Muller-it, të botuara në vitet 1823-24, nga shkrimtari i njohur gjerman.

Poezitë janë shqipëruar nga Ardian Klosi, i cili në ditën e shfaqjes do të prezantojë një libër, ku vepra e Muller-it është e shkruar në dy gjuhë, gjermanisht dhe shqip.

Kompozitori i famshëm austriak, Franz Schubert, kompozoi muzikën mbi vargjeret e Muller-it në vitin 1827, pak kohë përpara se të ndahej nga jeta.

Schubert konsiderohet edhe sot si “Princi i Këngës”, ndërsa në epitafin e tij shkruhet: “Këtu prehet njeriu që e bëri poezinë të tingëllonte dhe muzikën të fliste”.

Kryevepra e dy personazheve të mëdhenj të romantizmit është vënë në shfaqje në shumë skena prestigjioze ndërkombëtare.

Top Channel