Maicon: Derbi me Milan-in do të vendosë

22/01/2011 09:05

Mbrojtësi i Inter-it, braziliani Maicon, e cilësoi si të jashtëzakonshëm impaktin e trajnerit Leonardo, në të njëjtën kohë që kërkoi nga skuadra vazhdimin e serisë së rezultateve të suksesshme, për të mbërritur tek titulli kampion.

Në një intervistë të publikuar në numrin e sotëm të “La Gazzetta dello Sport”-it, Maicon veçoi: “Atmosfera në klub është e mrekullueshme dhe gjërat kanë ndryshuar shumë. Jo vetëm unë, por të gjithë në skuadër ndihemi shumë më të motivuar”.

30-vjeçari u rikthye edhe tek çështja Benitez. “Mbetëm të befasuar kur pamë që ai u largua pas Botërorit të klubeve, por me sa duket ka bërë gjëra që nuk i pëlqyen drejtuesve. Megjithatë, nuk është një temë që më intereson më. Ajo që dua tani është të fitoj sa më shumë ndeshje nën drejtimin e Leonardo-s”.

Maicon komentoi edhe shanset e zikaltërve për të mbrojtur titullin kampion në Itali dhe në Europë. “Nëse vazhdojmë këtë seri të suksesshme në kampionat, jam i sigurt që mund të fitojmë titullin. Derbi me Milan-in ka për të qenë vendimtar.

Bayern-i? Jam i sigurt që ata do të na studiojnë, por edhe ne e dimë si luajnë dhe kemi besim tek përsëritja e rezultatit të finales. Arma më e fortë e kësaj skuadre është besimi, tashmë jemi mësuar të besojmë tek fitorja”.

Top Channel