Ibrahimovic: Inter-i nuk na frikëson

22/01/2011 09:20

Sulmuesi i Milan-it, Zlatan Ibrahimovic, theksoi se nuk ka asnjë frikë nga ish-skuadra e tij e Inter-it, në të njëjtën kohë që largoi Balotelli-n, duke thënë qartësisht se fatkeqësisht, për të nuk ka vend në skuadër.

”Është e qartë që Inter-i luan me më shumë besim pas fitoreve të fundit, por ne jemi të përqëndruar vetëm në punën tonë. Nuk jam i shqetësuar nga asnjë skuadër tjetër dhe as kam frikë ndonjë rival për titull”, tha suedezi në faqet e “La Gazzetta dello Sport”-it.

”Nëse ne vazhdojmë të bëjmë si duhet punën tonë, do ta fitojmë titullin. Cassano? Ndihem mirë me të dhe është një futbollist i madh. Kur vendos lojtarë të mëdhenj në fushë, ata nuk kanë nevojë për përshtatje. Kjo ka ndodhur edhe me të, impakti i tij ka qenë i menjëhershëm”, vazhdoi Ibra.

”Pato? Ka shënuar tetë gola me të gjithë ato mungesa e dëmtime, ndërsa unë 11 duke luajtur çdo ndeshje. Kjo flet qartë për cilësinë e tij. Nëse do të kishte luajtur në të gjithë takimet, sot mund të ishte në kuotën e 20 golave. Talenti i tij është i jashtëzakonshëm.

Balotelli? Një futbollist me një të ardhme të madhe, por tek Milan-i nuk ka vend për të, kur në sulm janë pesë lojtarë të mëdhenj si unë, Cassano. Robinho, Pato e Inzaghi”.

Ndërkohë, konfirmohet se dëmtimi i Andrea Pirlo-s në Kupën e Italisë nuk është serioz dhe ai do të rikthehet të luajë pas vetëm pak ditësh pushim.

Top Channel