Galliani: Criscito-Ziegler nuk do të vijnë

21/01/2011 12:50

Administratori i deleguar i Milan-it, Adriano Galliani, pranoi se kuqezinjtë janë aktivë në merkato, por në të njëjtën kohë theksoi se Ziegler dhe Criscito nuk janë ndër objektivat e synuar.

”Asnjëri prej të dyve nuk do të mbërrijë këtu”, tha Galliani në mesditë, në rrjetin informativ Mediaset. “Nuk është arritur një marrëveshje ekonomike me klubet e tyre. Është vetëm çështje parash, por për secilin prej dy lojtarëve besojmë se kërkesat e Sampdoria-s dhe Genoa-s janë të tepruara”.

Kjo nuk do të thotë që merkato e kryesuesve të Serisë A është mbyllur. “Nuk e përjashtojmë mundësinë që mund të mbërrijë dikush përpara fundit të merkatos, por gjithmonë nëse do të paraqitet ndonjë mundësi e mirë, si ajo e Cassano-s. Ndryshe, do të vazhdojmë me këtë organikë që kemi deri në fund të sezonit”.

Numri dy i Milan-it foli edhe për trajnerin e ri të Inter-it, Leonardo-n. “Shpenzova tre muaj duke u përpjekur që ta bindja që të bëhej trajner dhe me sa duket, pasi bëri një punë të mirë me ne dhe tani me Inter-in, kam patur synë e duhur për ta kuptuar që ishte i përshtatshëm për këtë punë”.

Top Channel