Rikthehet Superliga

20/01/2011 14:40

Rikthehet nesër Superliga pas pushimeve dimërore ku pjesa më e madhe e klubeve kanë zhvilluar fazën përgatitore jashtë vendit.

Ashtu si në të gjitha kampionatet europiane, edhe në kampionatin tonë ka pasur një sërë lëvizjesh të lojtarëve, një pjesë e tyre befasuese si nga shifrat ashtu edhe nga emrat.

Skëndërbeu, një nga skuadrat pretendente për titullin, i forcon akoma më shumë pozitat e saj drejt objektivit për fitimin e kampionatit në këtë edicion me 5 blerje në merkaton dimërore.

Nuk mungojnë emrat e mëdhej të kampionatit tonë si Gjergji Muzaka apo Sokol Cikalleshi, sëbashku me ta dhe Arapi, Gjorgjeviç apo Idrizi. Si rrallë ndonjëherë drejtuesit korçarë kanë bërë një prezantim të këtyre blerjeve në stadium përpara tifozerisë për të rikonfirmuar synimet për titullin.

Edhe Tirana nuk ka mbetur prapa sa i përket lëvizjeve. Nga 24 herë kampionët e Shqipërisë është larguar sulmuesi Plaku edhe pse nuk është finalizuar marrëveshja për kalimin te Flamurtari, por është afruar Gilman Lika dhe synimi i rradhës është Bala i kthyer nga kampionati turk.

Ajo që humbet disi në letër me largimin e Muzakës, Hidit dhe sulmuesit Sefa është Dinamo, por që ka afruar sulmuesin serb të Skënderbeut Bërkiç dhe mbrojtësin Miloviç.

Pak lëvizje te Vllaznia, më shumë emra të huaj si Vujadinoviç, Jasiç, Rajoviç dhe Jovanoviç.

Paraqitja e dobët e Besës në këto 16 javë të Superligës ka detyruar presidencën të ndërhyjë me blerjen e Kotorrit, Djarmatit, Sefës dhe Mancakut.

Këto janë një pjese e lëvizjeve në këtë merkato e cila ende nuk është mbyllur, ndërkohë që java e 17-të fillon ditën e nesërme me takimin Kastrioti-Flamurtari, ndeshje që ka spostuar përballjen Tirana-Skëndërbeu ditën e hënë pasi policia për shkak të demostradës nuk e ka marrë përsipër zhvillimin normal të saj.

Takimet e tjera janë Vllaznia-Besa, Bylis-Laçi ditën e shtunë dhe Shkumbini-Teuta dhe Elbasani Dinamo.

Të gjitha këto takime do të keni mundësinë t’i ndiqni drejtpërdrejtë në platformën Supersport.

Top Channel