Financat: Tatimet, në situatë të vështirë

20/01/2011 08:00

Për herë të parë, që kur erdhi në krye të Ministrisë së Financave, Ridvan Bode pranon se administrata tatimore gjendet në një situatë të vështirë për mbledhjen e taksave.

Duke parë ecurinë e vitit 2010, Ministria e Financave vë në dukje nivelin e dobët të mbledhjes së të ardhurave nga administrata tatimore.

Në raportin e publikuar këto ditë mbi situatën fiskale, janë paraqitur në mënyrë të detajuar të gjitha taksat dhe ecuria e tyre, ku bie në sy dështimi me TVSH-në.

“Administrata tatimore ka hasur me shumë vështirësi në mbledhjen e të ardhurave gjatë këtij viti dhe ka mbledhur për periudhën të njëjtin nivel të ardhurash me një vit më parë, 2.6 për qind më pak se parashikimi”, thuhet në raportin e zyrtarëve të Financave.

Tatimet kanë pasur një ulje të ndjeshme kundrejt 2009-s të të ardhurave nga TVSH-ja, me 11.2 për qind, që reflekton, sipas ministrisë, rritjen e ndjeshme të kontributit të eksporteve në shitjet totale të bizneseve që paguajnë TVSH krahasuar me strukturën historike (eksportet kanë TVSH zero).

Rritjen më të madhe të të ardhurave e paraqesin doganat, ku konkretisht për TVSH-në kemi një nivel 6.8 miliardë lekë më shumë ose 9.7 për qind.

Po edhe këtu duket se doganën e ka “ndihmuar” fati, pasi valutat dhanë një kontribut prej të paktën 10 për qind në totalin e të ardhurave.

Nga administrata tatimore për periudhën janar-nëntor janë mbledhur 27 miliardë lekë nga 31.8 miliardë lekë të planifikuara, që do të thotë 15.2 për qind më pak.

Të ardhurat gjithsej nga taksa e akcizës për periudhën janar-nëntor arritën në rreth 34.8 miliardë lekë, duke shënuar rritje të konsiderueshme prej 14.1 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ose 4.3 miliardë lekë më shumë.

Megjithatë, edhe kjo rritje i dedikohet ndërhyrjes në nivelin e akcizës për disa nënprodukte të naftës dhe futjes në tatim të produkteve të tjera bazë si qelqi, plastika, kartoni etj., duke dhënë kontribut në rritjen e të ardhurave.

Vetëm nga tatimet, buxheti i shtetit mundi të siguronte 12.7 miliardë lekë, me rritje vjetore 4.1 për qind, duke zënë 39 për qind të të ardhurave gjithsej nga akciza.

Sa u takon taksave të tjera, tatimi mbi të ardhurat personale rezulton me një realizim të njëjtë si një vit më parë, ku konkretisht kemi një nivel arkëtimi në masën 24.2 miliardë lekë.

Sipas burimit të të ardhurave, të ardhurat nga tatimi mbi pagën e të punësuarve të sektorit publik kanë qenë rreth 7.6 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 7 për qind, kurse të ardhurat nga tatimi mbi pagën në sektorin jopublik kanë qenë 7.3 miliardë lekë me rritje vjetore prej 12.2 për qind.

Këtë rritje ministria e argumenton me situatën pozitive ekonomike, konkretisht me punësimin dhe nivelin e pagave, të ardhurat nga interesat etj.

Top Channel