Derbi roman, verdhekuqtë eleminojnë Lacion

19/01/2011 23:05

Roma fiton derbin me Lacion dhe kalon në cerekfinalet e Kupës së Italisë ku e pret sfida me Juventusin.

Të dyja skuadrat kryeqytetase, të njohura për rivalitetin që shfaqin në fushë, u takuan për të dytën herë në këtë sezon. Por ky derbi ishte pak ndryshe nga të tjerët, pasi nuk pranonte barazim.

Takimi nisi vrullshëm nga të dyja skuadrat, me Romën që këmbëngulte më shumë drejt golit. Por megjithë përpjekjet e tyre pjesa e parë u mbyll në barazim 0-0.

Pak minuta nga nisja e pjesës së dytë, verdhekuqtë fitojnë një 11 metërsh. Borrielo merr përsipër përgjegjësinë e ekzekutimit të tij e nuk gabon, Roma kalon në avantazh 1-0. Ky avantazh do të zgjaste vetëm 5 minuta, pasi në të ‘58-n lacialët zgjohen e barazojnë gjithcka me anë të asit të tyre, Hernanes.

Në minutën e 77 fiksohet edhe rezultati përfundimtar i takimit. Simplicio shënon e Roma fiton 2-1 duke kaluar në fazën e mëtejshme të Kupës së Italisë.

Ndërkohë, cerekfinalistja tjetër u përcaktua pas goditjeve të 11 metërshave në ciftin mes Sampdorias e Udinezes, pasi 90 minutëshi u mbyll 1-1 ndërsa koha shtesë në 2-2. Dorianët u treguan më të saktë nga pika e bardhë duke kaluar më tej falë fitores 7-6.

Top Channel