Cassano, një barez kundër Bari-t

19/01/2011 17:35

Milan-i do të mbështetet tek shërbimet e Cassano-s që prej minutës së parë, për të mposhtur nesër Bari-n, në një ndeshje të vlefshme për Kupën e Italisë.

Lajmin e konfirmoi vetë trajneri Massimiliano Allegri, në një deklaratë të dhënë për “La Gazzetta dello Sport”. Njëkohësisht, trajneri i kuqezinjve bëri me dije se nuk është në filozofinë e tij që të nënvlerësojë Kupën.

”Antonio do të luajë që prej minutës së parë, edhe pse nuk është ende i përgatitur sa duhet për të zhvilluar një ndeshje të plotë”, deklaroi Allegri. “Të avancojmë në Kupë është një prej objektivave më të rëndësishëm, prandaj do të rreshtoj formacionin më të mirë.

Shpresojmë të arrijmë në finale dhe nëse kjo do të ndodhë, do të ishte e bukur të fitonim. Tani është e rëndësishme të gjejmë fitoren pas dy barazimeve radhazi”.

Blerja surprizë e Milan-it do të jetë Inzaghi, ndërsa në kampionat gjendja mbetet pozitive. “Inzaghi do të jetë gati që në mars dhe ky është një lajm i shkëlqyer për të gjithë. Ziegler? Një futbollist i mirë, por për cilësitë e tij pyesni më mirë Di Carlo-n që e stërvitit çdo ditë. Kampionati? Jemi të parët, kemi gjithçka në dorë dhe kam besim se do të rikthehemi shumë shpejt tek fitorja”.

Top Channel