Real, Tevez alternativa e Van Nistelrooy-t

17/01/2011 17:50

Nëse rikthimi i Ruud van Nistelrooy-t në Madrid nuk do të ndodhë, atëherë gjigantët spanjollë do të hidhen për të siguruar shërbimet e argjentinasit Carlos Tevez, lajmëroi sot e përditshmja “Marca”.

Ndonëse tratativa për 34-vjeçarin parashikohej e thjeshtë, skuadra e presidentit Florentino Perez është ndeshur me kundërshtinë e vendosur të Hamburg-ut, skuadër që nuk dëshiron të humbë yllin e saj në mesin e sezonit.

Ndonëse madrilenët nuk dëshirojnë të shpenzojnë shumë në këtë merkato të janarit, barazimi i së dielës, 1-1 ndaj Almeria-s, evidentoi edhe një herë më shumë krizën e sulmit që po përjeton skuadra.

Carlos Tevez është një futbollist që kushton rreth 40 milion euro dhe pretendon një pagë prej 8 milion eurosh në sezon, por në favor të Real-it mbetet dëshira e futbollistit për të ndërruar ambient.

Top Channel