Parlament, nis sesioni i ri

17/01/2011 18:00

Parlamenti i Shqipërisë ka nisur seancën e parë për vitin 2011. Në fjalën e hapjes, kryetarja Jozefina Topalli vlerësoi arritjet dhe punën e bërë nga ky institucion gjatë vitit që lamë pas.

“Viti 2010 do mbahet mend si viti i ngjarjeve të mëdha për Shqipërinë dhe shqiptarët. Viti që realizoi lëvizjen e lirë, viti me rritjen ekonomike, viti kur Shqipëria cilësohet si maja e turizmit. Viti 2010 do mbahet mend si viti kur kemi miratuar 231 ligje”, ka deklaruar Topalli.

Sipas saj, gjatë vitit 2010 pati gjithashtu rritje të eksporteve, të studentëve, etj. Ndërsa axhenda e Parlamentit për vitin e ri, sipas Topallit, do të jetë integrimi i vendit në strukturat evropiane.

Në këtë drejtim, kryetarja ka kërkuar edhe bashkëpunimin e opozitës për reformat që duhen realizuar.

“Axhenda e Parlamentit këtë sesion do të jetë më ambicioze, për integrimin evropian, për respektimin e Kushtetutës, të vlerave të demokracisë. Këtë vit ne do miratojmë të tjera ligje dhe reforma. Ftoj të gjithë deputetët që t’i bashkohen Parlamentit, në mënyrë që të miratojmë ligjin për heqjen e imunitetit. Punë të mbarë të gjithëve”, ka deklaruar Topalli.

Top Channel