Khedira: Tek Real-i, si në shtëpinë time

15/01/2011 11:15

Mesfushori i Real Madrid-it, Sami Khedira, e cilësoi kryeqytetin spanjoll si shtëpinë e tij të re, ndërsa foli në revistën “Bild” për përshtatjen e tij të shpejtë në skuadër dhe magjepsjen e futbollit spanjoll.

”Mendësia është ndryshe nga ajo në Gjermani, Spanjollët janë njerëz shumë krenarë. Kisha nevojë të mësohesha me gjëra ndryshe, duke nisur nga mënyra se si janë ndërtuar njerëzit apo se si organizohen darkat”, deklaroi Khedira.

”Me shokët e skuadrës takohemi herë pas here. Gago e Marcelo më kanë ftuar për të dalë në qytet apo për të pjekur mish në zgarë në oborr. Shkojmë të shohim edhe ndeshjet e Real-it të basketbollit. Herën e fundit isha unë, Pepe, Cristiano e Marcelo”.

Përsa i përket formës së shkëlqyer të gjermanit tjetër Ozil, Khedira shtoi: “Është përshtatur shumë shpejt. Botërori na ndihmoi, pasi në kombëtare kishte futbollistë me rënjë të huaja. Mendoj se ajo provoi se gjermanët janë njerëz të hapur ndaj gjërave të reja”.

Në fund, gjermani vlerësoi edhe punën e Mourinho-s. “Stërvitjet tona taktike janë shumë të mira. Unë jam përmirësuar dukshëm në lojën ajrore. Shumë e shohin Mourinho-n si arrogant, por me ne është njerëzor dhe i respektueshëm. Punon shumë dhe di të marrë maksimumin prej futbollistëve të tij”.

Top Channel