Ekspertë amerikanë për videon

14/01/2011 14:30

Ekspertë amerikanë pritet të ndihmojnë prokurorinë shqiptare për të verifikuar origjinalitetin e pamjeve filmike në të cilat shfaqet biseda mes ish zëvëndëskryeministrit dhe ish ministrit të Energjitikës, Ilir Meta me ish ministrin Dritan Prifti.

Burime të besueshme të TCH pohuan jashtë kamerave se Prokuroria i ka dërguar një shkresë autoriteteve amerikane për t’i ndihmuar me ekspertizën e saj mbi kasetën e sekuestruar nga prokurorët e task force pak ditë më parë.

Ndërkohë nuk dihet ende nëse ekspertët do të vijnë në Shqipëri, apo kaseta do të dërgohet drejt SHBA-ve.

Ajo që thuhet të paktën paraprakisht dhe jo zyrtarisht nga pjesetarët e grupit hetimor, është se pikërisht përgjigjja nëse pamjet filmike janë origjinale apo jo, do të përcaktojë më tej edhe rrjedhën që do të marrin hetimet.

Për momentin Prokuroria ka regjistruar proçedimin penal pa emër të dyshuarish për korrupsion pasiv të funksionarëve shtetërorë dhe korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë si dhe për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Në funksion të këtij proçedimi të çelur kryesisht pas transmetimit të videos-skandal në emisionin “Fiks fare”, kaseta filmike zyrtarisht, sipas Prokurorisë së Përgjithshme, konsiderohet provë materiale.

Në pritje të asistencës së amerikanëve përgjigjja e të cilëve konsiderohet më e besueshme se sa ekspertiza që mund të kryhej në laboratoret e kriminalistikës në Shqipëri, një ditë më parë task force mori dëshminë e ish ministrit Prifti, në cilësinë e personit që ka dijeni.

Ish ministri konfirmoi gjatë seancës katër orëshe me shefin e njësisë antikorrupsion Dritan Rreshka dhe prokurorin e çështjes Gentian Osmani, vërtetësinë e filmimit të kryer në zyrën e tij, në një kohë që u dorëzoi prokurorëve edhe një kasetë tjetër, e njëjtë me atë të sekuestruar nga akuza.

Tashmë pritet të thirret edhe protagonisti kryesor i videos-skandal, ish-zëvendëskryeministri Ilir Meta, i cili sërish do të pyetet në cilësinë e personit që ka dijeni.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA