Maggio: Mjaftohemi edhe me Champions

13/01/2011 18:45

Forma e shkëlqyer që po kalon Napoli në kampionat ka bërë shumë tifozë që ashtu si në kohët e Maradona-s të ëndërrojnë titullin kampion, por një prej protagonistëve të këtij sezoni të shkëlqyer, mesfushori Maggio frenon entuziasmin.

”Kemi bërë një punë të shkëlqyer, sidomos përsa i përket sakrificës në çdo ndeshje e stërvitje, por jemi gjithashtu të vetëdijshëm për kufinjtë tanë. Në kampionat ka disa ekipe që në letër kanë një grup më të fortë, prandaj mendoj se duhet të jemi të kënaqur edhe në qoftë se arrijmë vetëm kualifikimin në Champions”, deklaroi Maggio.

Vëmendja e napolitanëve tani është zhvendosur tek ndeshja e radhës në kampionat, ajo përballë Fiorentina-s. “Dëshironim me çdo kusht të bënim një ndeshje të mirë përballë Juventus-it dhe arritëm një fitore shumë të rëndësishme. Tani mendojmë për Fiorentina-n, pasi duam të nisim mirë edhe fazën e dytë të kampionatit”.

Top Channel