Klasat sportive, kujtim i së shkuarës

13/01/2011 19:45

Problematika e zhdukjes së klasave sportive në shkollat e mesme shqiptare u trajtua në kronikën e emisionit të pasdites në Top Channel.

Të krijuara në kohën e diktaturës, të ashtuquajtura klasat sportive lejonin nxënësit që të stërviteshin deri në dhjetë orë në javë, ndërsa koha provoi se ato ishin në gjendje të prodhonin shumë talente në sportin shqiptar.

”Paguajmë çdo muaj 3 500 lekë për djalin që të stërvitet në një prej akademive të futbollit në Tiranë. Çmimi është i pranueshëm, por kushtet jo. Klasat sportive do të ishin një ndihmesë e madhe”, deklaroi babai i një prej fëmijëve të shumtë që aspirojnë të bëhen futbollistë në të ardhmen.

Drejtoresha e Arsimit për Tiranën, Arjana Bekteshi dëshmon për kamerat se nuk ka patur një urdhër për mbylljen e këtyre klasave, por ato janë zhdukur graduliasht si rrjedhojë e kushteve të krijuara, të cilat kërkojnë një koncept të ri për zhvillimin e sportit.

”Pa një urdhër të caktuar, këto klasa kanë ardhur duke u mbyllur. Arsyet kanë qënë ose financiare, për pamundësinë e sigurimit të bazës materjale, si rrjedhojë e mungesës së kuadrit apo pas kërkesës së prindërve, por fakt është se kanë ardhur duke u mbyllur”, pranon Bekteshi.

Në Tiranë ka patur rreth 20 shkolla, të cilat në strukturën e tyre kishin edhe klasat sportive. Çdo shkollë kishte profilin e saj sportiv si: futboll, basketboll etj. Nxënësit në këto klasa zhvillonin deri në 10 orë fiskulturë në javë, ndërkohë që sot programi është reduktuar vetëm 2 orë.


Mësuesit e edukimit fizik, edhe pse nuk pranojnë të flasin para kamerës, ngrejnë shqetësimin për këtë situatë të krijuar. Sipas tyre, orët e sportit janë shumë të rëndësishme dhe atyre iu duhet kushtuar shumë rëndësi, pasi dihet impakti pozitiv që ka sporti në shëndetin e njeriut.

Megjithatë drejtoresha e arsimit thotë se janë krijuar kushtet për ata nxënës që kanë dëshirë të zhvillojnë më shumë orë sportive. “Mësuesit e fiskulturës kanë pesë orë në shërbim të nxënësve, shkollat caktojnë data e orare kur janë pasdite në funksion dhe hapin ambiente sportive. Kur nxënësit kanë dëshirë, mund të shkojnë dhe luajnë në specialitetin që pëlqejnë më shumë”.

E vërteta është se në praktikë, pak janë ata që mundin të përfitojnë nga ky regjim. 13-vjeçari Elio, prej tre vjetësh stërvitet pranë një ekipi paratërinjsh të një skuadre futbolli. Këtë e shikon si mundësinë që një ditë të bëhet një futbollist i madh. Ai përpiqet të gjejë kohë edhe për shkollën edhe për t’u stërvitur.

”Nëse do të kishim më shumë orë sporti në shkollë, do të më ndihmonte të perfeksionohesha si futbollist. Shpesh herë, orët e fiskulturës nuk i zhvillojmë fare”, thotë ai.

Sipas drejtoreshës së Arsimit, një mundësi për zhvillimin e sportit në shkolla është një bashkëpunim më i ngushtë me Akademinë e Sportit. “Do të kërkojmë furnizimin e shkollave me më shumë studentë të Institutit Fizik, kështu do të plotësojmë kuadrin bazë të mësuesve”.

Ndërkohë, sipas ekspertëve, niveli i ulët i sportit shqiptar dhe mungesa e talenteve lidhen ngushtësisht me mosfunksionimin e programeve sportive. Të krijuara me një urdhër të posaçëm të shtetit në vitet 1973-74, ato rezultuan një eksperiment i suksesshëm që ndihmuan në krijimin e emrave të mëdhenj të sportit ndër vite.

Top Channel