Ronaldinho mund të bashkohet me Paris SG

30/12/2010 14:55

Ronaldinho mund të mbetet brenda Europës, raportoi ditën e sotme rrjeti informativ i “Mediaset”-it. Një rikthim i mundshëm në kampionatin francez tek Paris SG është një mundësi që po lind në orët e fundit.

Një ditë më parë, Milani bëri me dije se pretendon tetë milion euro për të shitur kartonin e brazilianit, ndërsa vëllai dhe përfaqësuesi i lojtarit, Roberto de Assis konfirmoi se përveç klubeve braziliane është edhe një skuadër europiane e interesuar.

Në ditët e mëparshme ishte përfolur kalimi i ish-fituesit të Topit të Artë në radhët e Gremio-s, Palmeiras-it ose Flamengo-s. Megjithatë, 31-vjeçari ka të qartë se oferta nga vendi i tij do të ketë edhe pas 2-3 vitesh.

Asnjë klub spanjoll, anglez apo italian nuk duket i interesuar për momentin për të. Asnjë sinjal nuk ka mbërritur as nga Bundesliga, prandaj është e qartë që kampionati francez mbetet si pista më e mundshme.

Ronaldinho nuk ka hequr dorë nga shpresat për të qenë pjestar i kombëtares në Botërorin e Brazilit, në vitin 2014, por ai e di se duke luajtur në Europë ka shumë më tepër mundësi që të përfshihet në përfaqësuese.

Së fundmi, edhe hipoteza e kalimit në SHBA tek Los Angelos Galaxy, duket se është refuzuar përfundimisht nga lojtari.

Top Channel