Ish-presidenti i Izraelit, Moshe Katsav është shpallur fajtor për dhunë seksuale nga një gjykatë në Tel Aviv.
Ai është përballur me dy akuza nga një punonjëse në kohën kur ishte ministër i Turizmit, në vitet 1990. Ai është akuzuar gjithashtu për dhunë seksuale edhe më vonë.
Gjyqtarët thanë se besonin deklaratën e gruas, dëshmia e të cilës ka cuar në ngritjen e akuzave ndaj ish-kreut të shtetit.
Moshe Katsav dha dorëheqjen nga posti i presidentit në vitin 2007 dhe dy vjet më vonë ai u padit në gjykatë.
Para se Katsav të mbërrinte për vendimin përfundimtar, një turmë ishte mbledhur jashtë gjykatës, ku ishin të pranishme shumë aktiviste për të drejtat e grave.
Nga ana e tij Katsav, në detyrë nga viti 2000 deri në 2007, i ka hedhur poshtë akuzat.
Kush është Moshe Katsav
Ish-presidenti i Izraelit Moshe Katsav ka lindur në Iran në vitin 1951 dhe bashkë me familjen e tij emigroi në Izrael kur ishte vetëm 6 vjec.
Ai ka qenë një deputet jo shumë i njohur i krahut të djathtë dhe ministër para se të zgjidhej për postin kryesisht ceremonial në vitin 2000.
Ai dha dorëheqjen në vitin 2007 pasi ra dakord që të vetëshpallej fajtor për një sërë akuzash me sfond seksual, si pjesë e një marrëveshjeje për shfajësim, të cilën më pas e tërhoqi.
Para dorëheqjes së tij, Katsav i kundërshtoi ashpër akuzat e ngritura ndaj tij, duke i bërë thirrje publikut që të mos i besojë ato.
“Kur e vërteta të dalë ju do të tronditeni. Mos u besoni shpifjeve dhe gënjeshtrave. Ka vetëm një të vërtetë, unë jam shënjestër e një prej sulmeve më të keqija në historinë e shtetit të Izraelit”, deklaroi ai në një konferencë për shtyp.
Top Channel