Dinamo feston 60 vjet lavdi

30/12/2010 15:50

Klubi i futbollit të Dinamos festoi ditën e sotme 60-vjetorin e themelimit, në një festë që bashkoi brezat dhe lavdinë e së shkuarës.

Sipas fjalës së yjeve të dikurshëm të këtij ekipi, në edicionin e lajmeve të Top Channel, 18 herë kampionët e vendit i kanë të gjitha kushtet që të dominojnë për shumë vite në futbollin e tanishëm, ndërsa veçuan sukseset e shkruara.

”Kushtet e stërvitjes janë optimale dhe të gjithë futbollistët janë të paguar shumë mirë”, deklaroi Mehdi Zhega, ish-trajneri i kombëtares dhe lojtar në vitet 1970. “Nëse punohet siç duhet, klubi mund të arrijë përsëri në majat e së shkuarës dhe t’i tejkalojë ato”.

Për Sabri Peqinin dhe Zyber Konçin, ikonat e skuadrës në vitet 1950 dhe 1960, sukset e atëhershme kishin një tjetër shije. “Futbolli ka ndryshuar, tani luhet për para, atëherë luanim për pasion”, thonë ata. “Nuk duam të themi që futbollistët e tanishëm nuk janë të aftë, por disa cilësi që ne i kemi patur nuk janë më. Përkushtimi dhe dëshira për fitore ishin të tjera në ato vite”.

Në fund, një prej më të mëdhenjve që ka veshur ndonjëherë fanellën dinamovite, Shyqyri Rreli u shpreh: “Nuk e kuptoj se çfarë ka ndodhur në këtë sezon. E nisëm shumë mirë, por u bë disa javë që kemi rënë në klasifikim. Shpresoj të rikthehemi aty ku duhet sa më shpejt, pasi ky ekip ka lojtarët dhe emrin për të dalë kampion”.

Skuadra mbeti pa trajner përpara disa ditësh, pasi një seri rezultatesh të dobëta çoi në shkarkimin e argjentinasit Blanco. Me 25 pikë pas 16 javësh, kampionët në fuqi renditen të pestën në edicionin aktual të Superligës, nëntë pikë pas kryesuesve të Flamurtarit.

Top Channel