14 civilë afganë, kryesisht gra dhe fëmijë, humbën jetën në mesditën e sotme pasi autobuzi i tyre shkeli një minë, në një rrugë në jugun e provincës së Helmandit.
Katër persona të tjerë u plagosën në të njëjtën ditë, edhe ata pasi shkelën një minë të vendosur nga talebanët me mjetin e tyre, informoi BBC.
Sipas të dhënave të dhëna nga komanda e NATO-s në Afganistan, ngjarja ndodhi në lokalitetin e quajtur Nahr-e Saraj. Shpërthimi besohet se kishte si objektiv të godiste forcat e ushtrisë afgane, e cila ka një bazë të rëndësishme në afërsi të vendit të goditur.
Mina ishte vendosur në një arterie të rëndësishme të vendit, e cila përdoret për të lidhur krahinën e Kandaharit me atë të Heratit. Presidenti Hamid Karzai, në fjalën ngushëlluese ndaj familjeve, e konsideroi vendosjen e minave nëpër rrugë si punën e të pafeve dhe injorantëve, që shkaktojnë vetëm vuajtje për popullin afgan.
Gjatë dhjetë muajve të fundit, si rezultat i përshkallëzimit të dhunës në vend, më shumë se 700 trupa të NATO-s dhe mbi 2 400 civilë kanë mbetur të vrarë.
Top Channel