Sudan, gati votimi për ndarjen e vendit

29/12/2010 21:20

Materjalet zgjedhore janë shpërndarë dhe gjithçka është bërë gati për të vendosur nëse Sudani do të ndahet, në referendumin e janarit.

Në lajmin e raportuar prej CNN gjatë mbrëmjes, bëhet me dije se për shkak të analfabetizmit të lartë, fletët e votimit do të përmbajnë figura, nga ku njerëzit do të mund të zgjedhin.

Kutitë dhe fletët janë përgatitur më parë në Angli. Asnjë shtypshkronjë në vendin me territorin më të madh në Afrikë nuk plotësonte kushtet për të prodhuar fletët në vend.

Vendimi për të realizuar këtë referendum është marrë që në vitin 2005, pas konfliktit civil që shkaktoi vdekjen e dy milion personave dhe zhvendosjen e miliona të tjerëve, midis viteve 1983-2005.

Sudani mund të ndahet në dy pjesë, në atë veriore që popullohet kryesisht prej arabëve muslimanë dhe pjesën jugore, e banuar nga zezakë kristianë dhe animistë.

OKB ka shpenzuar 58 milion dollarë për të organizuar këto zgjedhje. Numërimi dhe organizimi do të vazhdojë të bëhet prej ndërkombtarëve.

Top Channel