Rikthehet Robben: Me mua nis seria e fitoreve

29/12/2010 20:35

Mesfushori i Bayern Munchen, Arjen Robben është i sigurt se me rikthimin e tij në fushë, paraqitjet e skuadrës do të arrijnë nivelin e shpresuar.

Gjigantët gjermanë kanë lënë shumë për të dëshiruar në fazën e parë të Bundesligës dhe e shohin veten 14 pikë pas kryesuesve të Dortmund-it, por për holandezin, titulli kampion mund të vazhdojë të jetë i fitueshëm.

”Paraqitja e deritanishme e Borussia-s ka qenë e jashtëzakonshme dhe diferenca e madhe në renditje është e merituar. Megjithatë, në futboll gjithçka mund të ndodh. Ne do të japim më të mirën tonë dhe me pak fat, do të krijojmë një vazhdimësi fitoresh që mund të na nxjerrin në vendin e parë”, deklaroi Robben në faqen zyrtare të klubit.

26-vjeçari u dëmtua rëndë në finalen e humbur të Botërorit, përballë Spanjës, por tani është në prag të rikthimit në fushë për herë të parë pas pothuajse gjashtë muajsh.

Lojtari ka nisur të stërvitet rregullisht me shokët e tij të skuadrës dhe do të jetë në gjendje të luajë që në ndeshjen e parë të skuadrës në janar, kundër Wolfsburg-ut.

”Ndihem shumë mirë për momentin dhe pres me padurim të nis sezonin tim në 15 janar. I mbetet trajnerit që të vendosë se sa do të luaj, por ndihem shumë i kënaqur që më në fund jam sërish pjesë e skuadrës”.

Top Channel