Rabinët hebrenj: Mos përzjeni racën

29/12/2010 16:00

Një letër e grave të 30 rabinëve kryesorë në Izrael, në të cilën i kërkohet të gjitha femrave çifute që të mos kenë kontakte seksuale me arabë, u publikua ditën e sotme.

Vetëm disa javë më parë, një tjetër letër e shkruar nga 50 rabinë të punësuar nga shteti i bënte thirrje shtetasve që të mos shisnin prona apo t’i jepnin ato në përdorim personave që nuk mbajnë shtetësi izraelite.

Në kopien e letrës së shfaqur në një faqe të rëndësishme interneti dhe të shpërndarë nëpër sinagoga, shkruhej se burrat arabë përpiqet të sillen mirë me vajzat hebrehe, pasi e konsiderojnë formimin e familjeve me to si një mënyrë për të humbur gjakun izraelit.

”Sjellja është e përkohshme. Sapo përfundon në duart e arabëve, gjithçka ndryshon dhe ata do të përpiqen të kontrollojnë gjithçka. Ekzistojnë shumë dëshmi të grave fatkeqe që e kanë provuar këtë më parë.

Sapo të shkosh në fshatin e burrit, jeta nuk do të jetë më njësoj. Dashamirësia do të zëvendësohet nga sharje, rrahje dhe poshtërime. Të arratisesh do të jetë shumë e vështirë, pasi i gjithë fshati të ruan”, shkruhej në letër.

Letra rekomandonte edhe shmangien e kontaketeve seksuale me çdo lloj të huaji, ndërsa gjithashtu bënte thirrje të shmangeshin punësimet në firmat me kapital arab apo që nuk punësojnë hebrenj.

Pothuajse 1,5 milion muslimanë jetojnë brenda Izraelit ose 23% e popullsisë së të gjithë vendit. Një studim i Universitetit të Jerusalemit tregoi se 52% e hebrenjve pranojnë se nuk do t’i shisnin apo jepnin me qera një shtëpi shtetasve arabë.

Top Channel