Galliani: Ronaldinho kushton 8 milion euro

29/12/2010 18:30

Ndryshe nga sa kishin shkruar mediat italiane deri tani, Milani nuk do të lejojë Ronaldinho-n që të largohet me parametra zero nga klubi.

Pas blerjes së Cassano-s, hapësirat për Dinho-n në skuadër kufizohen edhe më shumë. Mungesa e dëshirës për të qëndruar në stol dhe paga e lartë e 31-vjeçarit krijuan një situatë të favorshme për një ndarje me konsensus.

”Kush dëshiron të bëjë për vete Ronaldinho-n duhet të paguajë 8 milion euro”, deklaroi sot pasdite administratori i deleguar i kuqezinjve, Adriano Galliani, duke kundërshtuar skenaret e gazetave.

Pretendimet e Milanit do të detyrojnë Gremio-n që të tërhiqet, së bashku me mundësinë për të parë rikthimin e futbollistit në skuadrën ku u formua si lojtar. Rritet mundësia që ai të kalojë tek Flamengo ose Palmeiras, dy gjigantët brazilianë, në një gjendje shumë më të mirë ekonomike.

Pavarësisht se shpenzimi i kësaj shume për një 31-vjeçar do të përbënte një sforco ekonomike, në Brazil janë të bindur se Ronaldinho mund të krijojë shumë të ardhura nga shitjet e fanellave apo kontratat publicitare.

Top Channel