Futbolli në një vit

29/12/2010 16:30

Në mbyllje të këtij viti kalendarik edhe Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë një analizë e bilanc për gjithcka ka ndodhur me futbollin tonë në 2010-ën, vit që përkoi edhe me 80-vjetorin e krijimit të FSHF-së e me vizitën e presidentit të UEFA-s Mishel Platini.

Në tërësi, sipas presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, ky ka qenë një sezon pozitiv e me një nivel më të mirë se paraardhësit nga cdo këndvështrim.

Në arritjet e institucionit të tij Duka përmend investimet e shumta që janë bërë në infrastrukturë në një pjesë të madhe të fushave stërvitore dhe të stadiumeve ku luajnë kryesisht ekipet e Superligës.

Një ndër synimet kryesore për vitin e ardhshëm 2011 është objektivi madhor i ndërtimit të stadiumit të ri, një premtim ky edhe i kryeministrit Berisha në rastin e 80-vjetorit.

“Ka një vullnet pozitiv që ky stadium të ndërtohet dhe nuk kemi një përgjigje negative për të mos e realizuar. Objektiv i qeverisë ka qenë që këtë vendim ta merrte brenda vitit, por presim që të merret në fillim të vitit të ardhshëm. Duam që ai të ndërtohet”, ka deklaruar Duka.

Protagonistët më të përfolur edhe të këtij sezoni në kampionatin e Superligës janë gjyqtarët, por që për presidentin Duka edhe pse vazhdohet të bëhen gabime, gjërat po ndryshojnë dhe duke filluar nga viti i ardhshëm do të ketë një skemë e një projekt të ri për sektorin e gjykimit.

“Gjykimi është gjëja më e kontestueshme, që do ta shoqërojë futbollin gjatë gjithë historisë. Është punuar mirë, ka pasur investime dhe ne kemi menduar një skemë të re, për ndarjen e gjyqtarëve në 5 nivele dhe shpërblimin sipas performancës së tyre”, ka sqaruar Duka.

Përfaqësueset e moshave janë një nga pikat e dobta të Federatës Shqiptare të Futbollit, sipas presidentit, edhe pse kushtet i janë plotësuar të gjitha ekipeve përfaqësuese të moshave, rezultatet kanë qenë të dobta e nuk është arritur asnjë objektiv, gjë që do të sjellë dhe ndryshimin e selektorëve apo trajnerëve duke filluar nga viti i ardhshëm.

Top Channel