Abuzimi me naftën, vendoset taksë e re

29/12/2010 08:00

Abuzimi me naftën duke përdorur përzierës të ndryshim detyron autoritetet të marrin masat shtrënguese.

Një udhëzim i fundit i ministrit të Financave përcakton qartë se nafta bruto që prodhohet në vend, në rast se nuk shitet si e tillë, do të taksohet me 50 lekë për litër, nga zero lekë që ishte. Pra, për të shmangur mundësinë e përdorimit të naftës bruto te produktet e tjera, me synim shitjen e saj si naftë të cilësisë së mirë, Financat vendosin një taksë të lartë, që detyron tregtarët t’i bëjnë mirë llogaritë.

Fakti që nafta bruto, e cila mbetej stok në depo, pra që nuk shitej, u ofrohej tregtarëve me çmim tepër të lirë, pasi nuk kishte taksa, për pasojë leverdia dilte më e madhe në rast se kjo lëndë përzihej me produkte të tjera, duke ua ofruar konsumatorëve për naftë D1.

Ministria e Financave e merr këtë vendim si kërkesë e vetë Shoqatës së Hidrokarbureve, e cila kishte propozuar një nivel takse prej 120 lekësh, ndërsa Financat vendosën ta bënin 70 lekë. Por pas debateve të shumta në nivel politike, u ra dakord taksa 50 lekë për litër, që gjithsesi konsiderohet e lartë dhe mund t’i detyrojë tregtarët të mos bëjnë abuzime për shkak të kostos.

Për ta bërë vendimin e fundit të Financave sa më të zbatueshëm, është vendosur një tjetër kusht, që nafta bruto e destinuar për rafineritë, për linjat e prodhimit apo për TEC-et, duhet që tregtarët ta vërtetojnë këtë përmes faturave.

Ndryshimet e fundit në një kohë kur ish-ministri i Tregtisë, Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, ka lëshuar akuza të rënda për ekzistencën e kontrabandës së naftës.

Udhëzimi i ri prek ligjin “Për akcizat” është marrë nga ministri i Financave më 3 dhjetor të këtij viti, në kuadër të masave kundër evazionit fiskal dhe abuzimit me cilësinë që kryhej nga tregtarët e pandershëm.

Konkretisht, udhëzimi prek sektorin e depozitave të karburanteve, duke u shtuar një paragraf të ri, ku konkretisht thuhet se, “Në rast se nafta bruto nuk eksportohet apo shitet te rafineritë e naftës në vend apo te shoqëritë e tregtimit me shumicë që ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit me shumicë, atëherë kjo naftë bruto do të konsiderohet si “zëvendësues i lëndëve djegëse”, dhe mbi to do të aplikohet tarifa tatimore e akcizës në masën 50 lekë litri”. Më tej, ministria thotë se, si provë e tregtimit të naftës bruto, duhet të shërbejë kontrata e shitjes me rafineritë, për eksport dhe me shoqëritë e tregtimit me shumicë.

Të dhënat operative nga tregu i karburanteve, pranuar nga vetë shoqata, flasin për një treg informal të përmasave të konsiderueshme, ku gati 30 për qind e lëndës djegëse përfshihet në skemat e abuzimit. Sakaq, duke nisur nga 1 janari i këtij viti, në vendin tonë nuk do të lejohet të shitet naftë D2, por vetëm naftë me standard 10 ppm, pra me cilësi më të lartë dhe me çmim rreth 5 lekë më shtrenjtë.

Udhëzimi i ri “Për akcizat” është marrë nga ministri i Financave, më 3 dhjetor të këtij viti.

Top Channel