
Gazetaria mbetet një profesion i rrezikshëm dhe këtë e tregon qartë numri i gazetarëve të vrarë në 2010-tën.
105 reporterë në 33 vende kanë humbur jetën gjatë ushtrimit të profesionit në vitin që po lëmë pas.
Kërkimet e organizatës së pavarur joqeveritare Press Emblem Campaign, evidentojnë Meksikën dhe Pakistanin si zonat me rrezikshmëri më të lartë.
Në Meksikë zien një luftë e përgjakshme antidrogë dhe në Pakistan, rajonet e paqëta kufitare me Afganistanin rezultuan si kurthe vdekjeprurëse.
Krahasuar me 2009-tën, kur bilanci i këtyre vdekjeve shënonte 122, shifra aktuale e viktimave tregon vërtet rënie, por nga ana tjetër ajo është më e lartë se 91 jetët e humbura në 2008-tën.
Nëntë gazetarë të vrarë pati në Honduras, tetë ishin që prej fillimit të 2010-ës në Irak, gjashtë në Filipine, pesë në Rusi dhe katër në Kolumbi.
Në Somali, Indonezi dhe në Nepal humbën jetën në krye të detyrës 3 gazetarë.
Në linja të përgjithshme, Amerika Latine konsiderohet këtë vit rajoni më i rrezikshëm për gazetarët: aty u vranë plot 35 reporterë.
Pason Azia me 33 përfaqësues të medias të vrarë dhe e treta vjen Afrika me 14.
Në Evropë u numëruan 12 viktima në vende si Bullgaria, Qiproja, Greqia dhe Ukraina.
Sekretari i përgjithshëm i organizatës me seli në Gjenevë, Blaise Lempen, edhe ai vetë reporter, tha se vrasja e gazetarëve po shndërrohet në një epidemi që s`gjen shërim dhe shtoi se komuniteti ndërkombëtar nuk ka arritur të krijojë mekanizma efikase për nxjerrjen e personave përgjegjës në bankën e drejtësisë.
Top Channel