
Ish-sulmuesi i kombëtares italiane, Christian Vieri, mund të jetë pranë një rikthimi të bujshëm në futbollin e luajtur në moshën 37-vjeçare, raportoi e përditshmja italiane “Corriere dello Sport”.
Sipas gazetës, ish-sulmuesi i Juventus-it, Inter-it, Milan-it, Lazio-s, Atalanta-s, Atletico Madrid-it dhe Monaco-së, mund të firmosë një kontratë me Boavista-n e Rio de Zhaneiros, një skuadër gjysmëprofesioniste që luan në kategorinë e tretë.
Interesimin për Vieri-n e bëri të njohur vetë drejtori sportiv i klubit të vogël, Joao Paulo Magalaes Lins. Christian është duke u stërvitur prej një muaji me brazilianët për kampionatin që nis në 19 janar.
”Çështjen e pagës e kemi zgjidhur. Christian ndihet shumë mirë fizikisht dhe do të prezantohet përpara shtypit me fanellën e skuadrës sonë përpara fillimit të kampionatit”, qartësoi Lins.
Pavarësisht se drejtuesi i brazilianëve e bën të sigurt rikthimit në fusha të 37-vjeçarit, një lajm i tillë mbetet për t’u verifikuar, pasi edhe një vit më parë qarkulloi një lajm i ngjashëm, i përgënjeshtruar nga Bobo.
Top Channel