Raporti, 580 mashtruesa kinezë nëpër botë

28/12/2010 14:30

Pothuajse 600 persona të përshirë në krime financiare si mashtrimi janë larguar nga Kina për t’u fshehur në vende të tjera, informoi një zyrtar i lartë në Pekin.

Lajmi u raportua gjatë orëve të drekës nga “Associated Press”, e cila theksoi se rritja marramëndëse ekonomike e Kinës, ka rritur në mënyrë dramatike edhe numrin e krimeve financiare.

Të paktën 580 persona, të akuzuar me riciklim parash, dhënie huaje ilegale apo mashtim janë fshehur në vende të tjera, ku mund të jenë duke kryer përsëri të njëjtat aktivitete.

Të përballur me mundësinë e dënimit me vdekje në vendin e tyre, shumica e autorëve të këtyre krimeve ndodhen në Amerikën e Veriut apo Azinë Juglindore. Vënia e tyre përpara drejtësisë mund të rezultojë e vështirë për shkak të numrit të vogël të vendeve që kanë marrëveshje ekstradimi me autoritet kineze, vetëm 37 shtete.

I arratisuri më i kërkuar në Kinë është Lai Changxing, i cili u fsheh në Kanada përpara një dekade. Sipas autoriteteve në Pekin, ai krijoi një rrjet kontrabande nga i cili përfitoi miliarda dollarë, falë bashkëpunimit me zyrtarë të korruptuar. Kanadaja nuk pranon të ekstradojë Lai-n në vendin e tij, pasi autoritetet e vendit komunist nuk garantojnë faljen e jetës së tij në rast se transferohet.

Top Channel