
Këngëtarja angleze e muzikës pop, Lily Allen bëri të ditur se është fejuar me të dashurin e saj Sam Cooper dhe së shpejti planifikojnë të lidhen në martesë.
Lajmi u publikua në mëngjes prej të përditshmes “The Sun”. Fejesa përfundon një vit të vështirë për këngëtaren e “I think your really mean”, pasi vetëm një muaj më parë humbi fëmijën në muajin e gjashtë të shtatzanisë.
Një burim pranë 25-vjeçares deklaroi: “Lily është me të vërtetë e prekur dhe e lumtur në të njëjtën kohë. Ajo nuk e dinte që Sam do ta propozonte, por nuk u mendua asnjë sekondë për të thënë po. Ka qenë një moment shumë i vështirë për të humbja e fëmijës, prandaj më në fund po merr pak gëzim që meriton”.
Allen dhe Sam u lidhën gjatë verës së vitit 2009, por prej vitesh ishin miq të mirë. Të dy lajmëruan pritjen e një fëmije, por një muaj më parë Lily u shoqërua në spital për probleme në stomak dhe mjekët nuk mundën të shpëtonin fëmijën e saj të palindur.
Ky është fëmija e dytë që Lily ka abortuar brenda tre vitesh. Në 2007-n, ajo deklaroi se ishte shtatzanë me të dashurin Ed Simons, pjestarin e Chemical Brothers, por një muaj më pas përsëri dështoi.
Top Channel