Itali, grupi anarkist komandohet nga Greqia

28/12/2010 14:15

Policia italiane informoi sot, gjatë orëve të drekës, se organizata anarkiste e cila ka terrorizuar ambasadat prej disa ditësh, me vendosjen e disa pakove bombë, është një krijesë italo-greke.

Hetimet arritën në përfundimin se sulmet në Romë u ndërmorrën me kërkesë të një grupi anarkist grek, i cili i kërkoi kolegëve italianë që të dilnin nga përgjumja me vepra konkrete.

I vetëquajtur “Federata Anarkiste Informale”, grupi mori përsipër përgjegjësinë për sulmet me bombë në ambasadat zvicerane dhe kilene, që shkaktuan plagosjen e dy personave. Një tjetër pako e pashpërthyer u zbulua në përfaqësinë greke.

Në një letër drejtuar policisë, anarkistët shkruanin: “Do të sulmojmë përsëri dhe do ta bëjmë këtë kur të na e kërkojnë shokët tanë grekë të Bërthamës së Zjarrit (emri i organizatës helene).

Për këtë arsye, bombën e fundit ia dërguam një strukture që përfaqëson shtetin grek dhe shërbëtorët e tij. Jemi të solidarizuar me shokët tanë të arrestuar në Athinë dhe me projektin e tyre, të bazuar mbi metodat e dhunës revolucionare”.

Dy shtetas grekë, 22-vjeçari Panagiotis Argyros dhe 24-vjeçari Gerasimos Tsakalos u arrestuan gjatë nëntorit në Athinë, të akuzuar se ndërtonin pako bombë. Të arrestuar në flagrancë, ata ishin në zotërim edhe të armëve të tjera si pistoleta, automatikë dhe mitralozë.

Të dy u ngarkuan me akuzën e tentativës së organizimit të sulmeve terroriste dhe së bashku me 11 antarë të tjerë të Bërthamës së Zjarrtë, do të paraqiten për herë të parë në Gjykatë në një proces që do të nisë në 17 janar 2011.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta