
Irani lajmëroi në mëngjesin e sotëm për ekzekutimin e një njeriu të dënuar më parë për spinunazh në favor të shërbimeve sekrete të Izraelit, Mossad.
Lajmi u shfaq gjatë mëngjesit në Agjensinë Shtetërore të Lajmeve, IRNA. Ali Akbar Siadat u shpall fajtor për bashkëpunim me Mossad-in që prej vitit 2004. Ai u arrestua në 2008-n, duke u përpjekur që të largohej nga vendi së bashku me gruan.
Irani nuk e njeh Izraelin si shtet dhe të dy vendet janë në luftë të ftohtë që prej revolucionit islamik të vitit 1979. Vazhdimisht arrestohen spiunë të njërës apo tjetrës palë, të cilët nuk konfirmohen asnjëherë si punonjës të shërbimeve sekrete.
”Ali Akbar Siadat, një spiun i Mossad-it, u ekzekutua me varje brenda burgut të Evinit në Tehran”, mund të lexohej në informatën e IRNA-s. “Ai përfitoi 60 mijë dollarë, pajisje të posaçme dhe një laptop, me shitjen e materjaleve për aktivitetin ushtarak të Iranit”.
Një punonjës në Ministrinë e Mbrojtjes, Siadat takoi agjentë të Mossad-it në Turqi, Tajlandë dhe Holandë, për t’i dorëzuar dosjet sekrete, sipas raportimeve zyrtare. Spiunazhi dhe një tjetër vepër penale e quajtur krime kundër allahut, dënohen me vdekje në Iran që prej vitit 1979.
Top Channel