
Me qindra minatorë të Bulqizës rrezikojnë çdo ditë jetën në galeritë që mund të shemben nga momenti në moment, për të siguruar bukën e gojës, ndërsa individë të ndryshëm fitojnë deri 20 mijë euro në ditë me djersën e tyre. (UPDATE)
Reportazhi i lajmeve në Top Channel vuri në qendër të vëmendjes kushtet tepër të vështira të jetesës, të atyre që mund të konsiderohen pa frikë si skllevërit e rinj të shekullit të XXI-të.
”Kur të vdes kam për të marrë pensionin”, thotë me dëshpërim njëri prej minatorëve, i zhytyr në një galeri të pafortifikuar me beton. “Duhet të jem 60 vjeç për të dalë në pension, më duhen edhe 12 vjet punë. Me siguri, do të kem vdekur shumë më herët për shkak të kushteve të punës”.
Një minator arrin të nxjerrë në sipërfaqe rreth 10 tonë krom në ditë. Një ton kushton në treg rreth 200–250 dollarë. Mesatarisht, një sipërmarres nxjerr me krahun e këtyre njerezve deri në 20 mije dollarë mineral në ditë, ndërsa punëtorët paguhen jo më shumë se 20-25 mijë lekë në muaj.
Përpara kamerave, mjerimi tregon se si fëmijë të mitur, gërmojnë në sipërfaqe për pak më shumë mineral, që në Bulqizë përkthehet me fjalën bukë. Një vajzë 4-vjeçare, e kequshqyer, bën me dije se një kilogram krom kushton 50 lekë.
Në zonën D, siç quhet zona më e pasur me krom, nuk kanë munguar përplasjet me armë si pasojë e rivalitetit për rezervat e mëdha. Megjithatë, vetëm pak subjekte operojnë aktualisht, pas një dekreti të vitit 2009 nga Ministri Ruli, i cili kufizoi konkurrencën.
Harta e zonave të shfrytëzimit ku operonte kompania Darfo dhe sot ACR ka ndryshuar mbi dhjetë herë, me pjesë të pasura të lëna jashtë territoreve të shfrytëzimit, me justifikimin se ishin zona të rrezikshme.
Megjithatë, këto pjesë të rrezikshme sot operohen prej subjekteve të ndryshme, si ai i formuar në vitin 2009, me pronar Eduart Ketën, vëllain e Roland Ketës, kryetar njëkohësisht i Bashkisë Bulqizë dhe i Partisë Demokratike për zonën.
Firma është në bashkëpronësi me Ardjan Hidën, kunatin e ish-drejtorit të ACR-së, Petrit Duva, shkarkuar pikërisht në fillimin e vitit, pasi dyshohej se kishte lidhje me kompanitë që operonin brenda zonës së konçensionit.
Ish-administratori i Darfo-s, Eduart Keta dhe ish-drejtuesi i ACR-së, Petrit Duva rezultojnë aksionerë edhe në një tjetër firmë, Vajkal Kedu, edhe kjo e themeluar në vitin 2009.
Ndërkohe, vëllai i kryetarit të Bashkisë Bulqizë, përveç 20 përqind në firmën Runja, është pronar edhe i një subjekti tjetër minerar, pikërisht në zonën D.
Bashkia Bulqizë, në vitin 2009 kërkoi që t’i kalonte asaj në administrim zona A dhe B e rezervave të kromit. Ministri Ruli e aprovoi kërkesën, por më vonë, në mënyrë enigmatike, nuk u dha kurrë një liçensë.
”Gjithë hapat që bëmë ne ishin në zbatim me ligjin dhe kërkesat e Ministisë së Ekonomisë. Shoqëria që formoi Këshilli Bashkiak ishte e njëjtë me atë që operojnë në zonë, por në fund, nuk iu dha liçensa për të punuar ”, thotë Roland Keta, Kryetari i Bashkisë.
Filmimi i reportazhit në Bulqizë nuk ishte aspak i lehtë, ndërsa një grup shtetasish sulmoi trupën e xhirimit dhe theu një pjesë përbërëse të kamerës.
Njëri prej tyre, Adem Duriçi, i identifikuar dhe arrestuar nga policia, rezulton i lidhur me një prej familjeve që shfrytëzojnë galeritë dhe punën skllavëruese të minatorëve e fëmijëve të tyre.
Megjithatë, dy ditë më pas, edhe pse Top Channel ngriti katër akuza penale kundër tij dhe Prokuroria kërkoi masën e burgimit pa afat, gjykatësi Ahmet Jangulli e liroi arbitrarisht.
Zonat mineralmbajtëse në Bulqizë, sipas ekspertëve, ofrojnë krom të pastër në masë mbi 55%, çka do të thotë se cilësia e tij është më e mira në të gjithë zonën minerare dhe ndër më të mirat në botë. Kompanitë shfrytëzuese, ndër vite, nuk kanë bërë asnjë investim për të garantuar siguri më të madhe në punë për të gjithë minatorët.
Top Channel