
Mikhail Khodorkovsky u arrestua për herë të parë në tetor të vitit 2003, nën akuzat e evazionit fiskal, mashtrimit dhe përvetësimit të parave.
Ish-kreu i gjigandit të naftës “Yukos” dhe në atë kohë njeriu më i pasur i Rusisë, u burgos në vitin 2005 me 8 vjet dhe duhej të lirohej në 2011-ën.
Por në vitin 2009 ai u padit sërish, këtë herë bashkë me ortakun e tij të burgosur Platon Lebedev, dhe u dënuan të dy për akuza të reja për përvetësim dhe pastrim parash.
Khodorkovsky, 47 vjec, e ngriti pasurinë e tij, që vlerësohet të jetë mbi 15 miliardë dollarë, pas privatizimeve të kontestuara të aseteve shtetërore në periudhën post-sovietike.
Para se të arrestohej, ai ishte jo vetëm shumë i pasur, por edhe një njeri me shumë influencë në Rusi dhe më gjerë.
Avokatët e tij kanë deklaruar vazhdimisht se akuzat ndaj tij janë të sajuara, të ngritura nga urdhërat e figurave të hershme të Kremlinit, të cilat e kundërshtuan kur ai filloi aktivitetet në politikë.
Khodorkovsky ka siguruar fonde për të gjitha partitë politike, përfshirë këtu komunistët dhe kishte blerë të drejtat për publikimin e gazetës prestigjoze “Moskovskiye Novosti”.
Ai punësoi këtu edhe një gazetar të mirënjohur investigativ, që atëherë ishte kritik ndaj Vladimir Putin, kur ky i fundit ishte president.
Top Channel